Kolegji AAB mbajti mbledhje komemorative për profesoreshën Burbuqe Berisha

28 Tetor 2021

Profesorë, studentë, kolegë, artistë e miq të shumtë u mblodhën sot në Kolegjin AAB për të përkujtuar profesoreshën dhe prodekanen e Fakultetit të Komunikimit Masiv, Burbuqe Berisha, e cila papritmas ndërroi jetë të mërkurën.

Me këtë rast, rektori Bujar Demjaha tha se Kolegji AAB humbi një mësimdhënëse të veçantë dhe kjo është një humbje e madhe për komunitetin artistik. “Buqja dje iku nga ne, duke iu bashkuar engjëjve në qiell, por do të vazhdojë të komunikojë me ne dhe me studentët që aq shumë i donte”, tha Demjaha.

Emocionues ishte edhe fjalimi i mikut të Burbuqe Berishës, themeluesit të Kolegjit AAB, Ilir Tafa. Buqja iku dje dhe na zuri të papërgatitur për të përballuar dhimbjen që kemi për të, tha Ilir Tafa. Ai tha se ky organizim në Kolegjin AAB, është i pari që bëhet pa Buqen, por për Buqen.

“Do ta mbajmë një fotografi të Buqes në Kolegjin AAB, për të marrë forcë nga ajo sa herë të kemi nevojë”, tha Tafa,

ndërsa tha se Festivali Ndërkombëtar i Teatrove që organizohet nga Kolegji AAB, tani e tutje do ta mbajë emrin e Burbuqe Berishës.

“Arsimi dhe kultura e kishte përcjellë gjatë gjithë jetës. Kontribut dhënëse në arsim dhe kontribut dhënëse në kulturë. Ajo dha shumë nga puna saj i dha filmit studentëve i dha Fakultetit të Komunikimit Masiv, prandaj ne sot i duartrokasim veprës së Buqes”, tha në fjalimin e tij dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Hasan Saliu.

Ai kujtoi Buqen si punëtore të madhe: “Në punë ishte uragan punonte me pasion dhe energji, asnjëherë e lodhur”, tha Saliu.

Në mbledhjen komemorative të organizuar nga Kolegji AAB, foli edhe e motra Trëndelina Berisha, e cila në emër të familjes falënderoi Kolegjin AAB për gjithçka që ka bërë për t’ i dalë në krah Buqes, e cila viteve të fundit vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Buqja ishte përkrahësja ynë kryesore, sepse ne u rritëm pa prindër. Nuk mund ta imagjinoj që Buqja nuk do të jetë më, por do të jemi shumë krenarë dhe të lumtur që e kishim motër dhe për gjithçka çfarë ka bërë për familjen dhe shoqërinë”, tha Trëndelina.

Burbuqe Berisha la pas një karrierë të bujshme artistike dhe vepra të cilat do të mbahen mend gjithmonë në artin dhe kinematografinë shqiptare.

Share: