Kolegji AAB në bashkëpunim me IKMK shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit

2 Maj 2017

 

Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB në bashkëpunim me Institutin Kosovar për Media dhe Komunikim,  me rastin e 3 Majit Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizojnë aktivitetin “3 May – World Press Freedom Day”.

Çdo vit, më 3 Maj UNESCO shënon këtë datë për përkujtuar principet fundamentale të lirisë së shqypit, për të vlerësuar lirinë e shtypit në botë, për të mbrojtur median nga sulmet ndaj pavarësisë së saj dhe për të përkujtuar gazetarët të cilët e kanë humbur jetën duke ushtruar profesionin e tyre.

Kosova, në raportet e shumë organizatave ndërkombëtare që vlerësojnë lirinë e shtypit (medieve) në vende të ndryshme të botës, cilësohet si vend që ka probleme me lirinë e shtypit dhe të shprehjes dhe cilësohet si ‘vend me media pjesërisht të lira’. Për të parë nëse ky cilësim përputhet edhe me vlerësimin e vetë punonjësve të mediave, kemi realizuar një hulumtim me gazetarë dhe redaktorë të katër televizioneve kryesore në vend, RTK, KTV, RTV 21 dhe Klan Kosova, rezultatet e të cilit do të prezantohen në këtë konferencë.

Me këtë rast do të mësoni se:

– Si i cilësojnë ata mediet në Kosovë?

– Kush ndërhyn në punën e tyre?

– Kush i kërcënon ata?

Pas prezantimit të rezultateve, do të japin kontributin e tyre përmes komenteve rreth rezultateve dhe gjendjes së ‘lirisë së medieve në Kosovë’ përfaqësues të Komisionit Parlamentar Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përfaqësues të Televizioneve kryesore të vendit, përfaqësues të mediave online, të OJQ-ve dhe njohës të mediave.

Aktiviteti do të mbahet në Teatrin AAB “Faruk Begolli” duke filluar prej orës: 11:00, dhe është i hapur për të gjithë të interesuarit.

Ju mirëpresim!

 

Share: