Kolegji AAB në bashkëpunim me Ambasadën e Francës dhe Aleancën Frankofone organizoi Panairin e Universiteteve Franceze

10 Dhjetor 2021

14 universitete nga Franca më 8 dhjetor kanë mbajtur webinare 20 minutëshe duke e prezentuar secila prej tyre planprogramin e vet të studimeve që ofrojnë.

Këtë takim e përshëndeti së pari rektori i Kolegjit AAB, Dr. Sc. Bujar Demjaha i cili theksoi rëndësinë e një qasjeje të hapur dhe një bashkëpunimi të ngushtë mes Kolegjit AAB dhe universiteteve të Francës si një domosdoshmëri për mundësitë që ju ofrohen studentëve.

Ai tregoi për angazhimin e Kolegjit AAB për të filluar një marrëdhënie të veçantë bashkëpunimi me Ambasadën e Francës me qëllim të ofrimit të mundësive për zgjerim të bashkëpunimit tonë me univeristetet në Francë, të cilat prijnë në fushën e studimeve dhe shkencës, në fushën e zhvillimit të teknologjisë dhe hulumtimeve akademike e shkencore.

Ndërsa, përfaqësuesi i Ambasadës franceze, z. Donato Giuliani po ashtu foli për aktivitete të ndryshme të cilat mbështeten nga Ambasada e Francës dhe Aleanca Frankofone në të mirë të studentëve dhe stafit të Kolegjit AAB, për bashkëpunimin që po tregon rezultate mjaft të mira mes palësh të përfshira.

Ndër të tjera, ai tregoi për mundësitë e studentëve të Kolegjit AAB që të jenë pjesë aktive e ngjarjeve jo vetëm të studimit por edhe ngjarjeve të ndryshme kulturore dhe artistike, përmes vizitave dhe projekteve të ndryshme të cilat janë bërë dhe janë planifikuar të bëhen përgjatë çdo muaji.

Në këtë takim ishte edhe znj. Elona Toro, drejtoreshë e Agence Universitaire de la Francophonie (Agjencisë universitare të frankofonisë) e cila sqaroi programet e ofruara, kurset e ndryshme, trajnimet, shkollat profesionale, tregoi për nivelet e ndryshme të studimeve që ofrohen në të gjitha nivelet e studimit, në të gjitha fushat. Kurse Zana Latifi, përfaqësuese e Kampus France dha një prezentim po ashtu shumë interesant lidhur me studimet në Francë, koston e tyre dhe mundësitë për përfitime të bursave të ndryshme.

Pro-rektorja për marrëdhënie ndërkombëtare dhe bashkëpunim në Kolegjin AAB, Venera Llunji foli për rëndësinë që studimet jashtë Kosovës kanë në zhvillimin e tyre intelektual dhe zhvillimin e tyre si qytetarë të ndershëm të vendit tonë.

Ajo theksoi sa e rëndësishme është që të rinjtë, për një periudhë të caktuar kohore të dalin jashtë “ghettos” në të cilën jemi si Kosovë dhe të shohin që ka jetë edhe jashtë kufinjëve të Kosovës që studimet jashtë ju japin mundësi të pavarësimit të tyre individual, ju japin mundësi të zhvillimit të ndjenjës së organizmit të pavarur të jetës së tyre në të gjitha aspektet e saj dhe që me kthimin e tyre në Kosovë, i gjithë zhvillimi i tyre intelektual dhe zgjerimi i njohurive e ndryshimi i qasjeve, i bën ata më të mire për vetën e tyre së pari por ajo që është më e rëndësishme i bën më të mirë për rrethin ku ata jetojnë, i bën qytetarë të zellshëm e të ndershëm, ashtu çfarë i duhen Kosovës.

Share: