Kolegji AAB shënon Javën Globale të Ndërmarrësisë me një diskutim për gratë e suksesshme të Kosovës në biznes

13 Nëntor 2018

Në kuadër të shënimit të Javës Globale të Ndërmarrësisë 2018 në Kosovë, në Kolegjin AAB sot u diskutua për sfidat dhe sukseset e grave ndërmarrëse në Kosovë.

Të pranishme për të diskutuar me studentët e Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB, për sfidat dhe përgjegjësitë e të qenurit grua e përfshirë në biznes në Kosovë, ishin gra të suksesshme ndërmarrëse të cilat diskutuan për idetë, por, edhe sukseset e arritura deri më tani në karrierën e tyre.

Drejtoresha e Shoqatës së Grave “Laddy”, Sanije Murati, tha se sfidat nuk ndalin rrugëtimin e grave të Kosovës drejt një biznesit suksesshëm dhe se mënyra se si veprojmë gjatë realizimit të një biznesi apo pune të suksesshme është mësim në vete.

“Njerëzit më pyesin se si kam ardhur deri këtu ku jam sot, përgjigja ime është e thjeshtë, me punë dhe vetëm me punë. Çdo pengesë që tenton t’ ju ndalojë në realizimin e ëndrrave tuaja është arsye që të thoni provo edhe një herë. Asnjë sfidë nuk duhet ta ndalë rrugëtimin e grave për të qenë të suksesshme në ndonjë biznes të caktuar”, tha Sanija.

Ndërsa, pronarja e gazetës për kulturë “KultPlus”, Ardianë Pajaziti ndau me studentët peripetitë e krijimit të kësaj gazete online. Ajo tha se të jesh një ndërrmarrës i suksesshëm në Kosovë duhet ta hulumtosh dhe studiosh tregun se çfarë i mungon.

“Tërë jetën kam punuar gazetare, por, vitet e fundit kam punuar në kulturë dhe pa e njohur boshllëkun e një fushe unë ju këshilloj që kurrë të mos nisni një biznes. Duhet të studioni për të parë se çfarë po i mungon tregut”, tha Pajaziti.

Të pranishme në këtë panel diskutimi ishin edhe Ardiana Balaj, ndërmarrëse në kompaninë “Login”, si dhe Dorina Lluka nga organizata “YMCA”, të cilat cilësuan se iniciativat si ky diskutim sot me studentët e AAB-së, janë jetike për mbështetjen dhe suksesin e grave ndërmarrëse në Kosovë.

Në fund të katër profileve të grave të suksesshme në Kosovë, ky panel i diskutimit u shoqërua edhe me një debat interaktiv nga studentëte Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB.

Share: