Kryetari i Bordit të Kolegjit AAB, Ilir Tafa, priti në takim rektorin e Universitetit të Sarajevës, prof. dr. Rifat Škrijelj dhe stafin e tij përcjellës

18 Janar 2017

Kryetari i Bordit të Kolegjit AAB, Ilir Tafa dhe zyrtarë të rektoratit, kanë pritur për një takim rektorin e Universitetit të Sarajevës, prof. dr. Rifat Škrijelj, dhe stafin e tij përcjellës të shoqëruar nga prof. dr. Aleksandra Nikolić, prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar, prof. dr. Aida Hodžić, prorektore për Çështje Akademike dhe Studentore dhe dekanin e Fakultetit për Kriminalistikë, Kriminologji e Studime të Sigurisë të këtij universiteti, prof. dr. Nedžad Korajlić.

Gatë takimit, kryetari Tafa, i njoftoi për programet studimore, trendët aktuale, vizionin e AAB-së për të ardhmen, personelin e studentët, dhe me theks të veçantë në masat për avancimin e cilësisë dhe digjitalizimin e proceseve mësimore e administrative në Kolegjin AAB.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Sarajevës, prof. dr. Rifat Škrijelj, me të cilin Kolegji AAB ka marrëveshje bashkëpunimi universitar që nga viti 2005, tha se Universiteti i Sarajevës është në një proces të zgjerimit të partneriteteve universitare në rajon.

Në takim u vendos që të fillohet me përgatitjet për nisma të ndryshme bashkëpunimi në mes të njësive akademike dhe instituteve hulumtuese të dy institucioneve.

Mysafirët vizituan edhe ambientet e Kolegjit AAB, dhe u ndanë të entuziazmuar me infrastrukturën, kushtet, programet e studimit, teknologjinë më moderne etj. në përgjithësi me të arriturat e këtij institucioni.

Universiteti i Sarajevës është universiteti më i vjetër dhe më i njohur në Bosnje dhe Hercegovinë. Ky universitet ofron mbi 60 programe studimore të nivelit bachelor, master dhe të doktoratës nga shumë fusha studimore. Përveçqë ka numër të madh të studentëve, stafit akademik, gjithashtu është i shquar për bashkëpunime me institucione rajonale e ndërkombëtare.

Share: