Marrëveshje bashkëpunimi mes AAB dhe Kolegji i Menaxhimit Hammersmith (HMC) për ofrimin e kurseve profesionale në Kosovë

25 Maj 2016

Kolegji AAB dhe Kolegji i Menaxhimit  Hammersmith (HMC) me seli në Londër si dhe Qendra e Kompetencave Evropiane (CEC),  kanë nënshkruar një  marrëveshje  bashkëpunimi  për organizmin dhe zbatimin kurseve të përbashkëta  të arsimit profesional për të rritur. Kjo është marrëveshja e dytë e bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve brenda një viti. 

Llojet e kurseve  të cilat do të organizohen në kuadër të kësaj marrëveshje janë:   gjuha angleze e biznesit,  komunikimi  për  biznes,  estetikë e parukeri,  inxhinieri  softverike,  turizëm dhe hoteleri, menaxhimi i kujdesit dhe shëndetësi,  menaxhimi i fushës së arsimit,   menaxhimi i fushës së  sporteve dhe gjuhës angleze.  

Kurset në fjalë  do të organizohen në ambiente e Kolegjit AAB,  me kohëzgjatje  gjashtë muaj deri në një vit, dhe në fund kandidati  pajiset me certifikatë të lëshuar nga dyja institucionet partnere;   Kolegji AAB dhe HMC.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga prorektori për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion të Kolegjit AAB, Xhavit Rexhaj dhe drejtori i Kolegjit HMC-HTC, Sirjeel Khan.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, prorektori Rexhaj  ka thënë; kjo marrëveshje  përcakton sferën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të mbështetjes të arsimit profesional në Kosovë dhe më gjerë, duke ju dhënë  mundësi të rinjve që  të marrin  një profesion dhe mjeshtri, si një mundësi  të  punësimit më të lehtë dhe sipas standardeve më të larta evropiane.

Kolegji i Menaxhimit  Hammersmith (HMC) me Seli në Londër,   organizon kurse profesionale, trajnime multidisiplinare në 28 vende anekënd botës.    

Share: