Mbi 200 studentë të Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, u pajisën me certifikata të gjuhës gjermane – niveli A1 dhe A2

19 Qershor 2017

Sot në Kolegjin AAB u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave të 200 studentëve të Fakultetit të Infermierisë, në Kolegjin AAB, të cilët e përfunduan me sukses kursin intensiv të gjuhës gjermane të nivelit A1 dhe A2.

Në ceremoninë e certifikimit, dekani i këtij fakulteti, z. Idriz Sopjani tha se qëllimi i organizmit të këtyre kurseve është përgatitja e studentëve për tregun gjerman: “Krahas studimeve, studentët e infermierisë pasurohen edhe me njohuri të gjuhës gjermane, si rezultat i kërkesave të vazhdueshme nga institucionet gjermane për këtë profesion, për infermierë të rinj”.

Sopjani shtoi se këta studentë qysh nga viti i ardhshëm do të realizojnë praktikën në Gjermani, si rezultat i bashkëpunimeve që ka Fakulteti i Infermierisë me institucionet gjermane.

Ndërsa, studentja Aulona Krasniqi, tha se ndjehet shumë krenare që është pjesë e Fakultetit të Infermierisë.” Kolegji AAB përveç që na ka ofruar studime cilësore, literaturë dhe praktikë të mjaftueshme, na ka ofruar edhe kurse falas të gjuhës gjermane, vetëm e vetëm që të na përgatisë për tregun evropian”.

Ajo shtoi se mësimdhënësit e gjuhës gjermane, kanë qenë shumë të përkushtuar, dhe në sajë të këtij përkushtimi janë arritur rezultate shumë të kënaqshme nga të gjithë vijuesit.

Përveç studentëve dhe stafit akademik të këtij fakulteti, gjatë ndarjes së certifikatave mori pjesë edhe prorektori për Çështje mësimore, prof. dr. Shemsedin Vehapi, sekretari Granit Curri e të tjerë.

Për studentët e Kolegjit AAB, kurset vazhdojnë edhe për nivelin B2, ku të gjithë të interesuarit mund të lajmërohen në ambientet e Fakultetit të Infermierisë, Kolegji AAB. Vlen të theksohet, se këto kurse për studentët e Kolegjit AAB ofrohen falas.

Share: