Mefail Bajqinovci: Kolegët me të cilët studiova në AAB, shumica janë shndërruar në figura publike

9 Shkurt 2015

“Njeriu mund të arrijë gjithçka, vetëm nëse do”, Gorki.

Mefail Bajqinovci studimet Bachelor i ka përfunduar në Fakultetin e Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB. Aktualisht ushtron profesionin e gazetarit në Kompaninë Mediale “Koha”, përkatësisht në televizionin me frekuenca nacionale “Kohavision”. Është autor dhe moderator i emisionit debatues “PULS”, po ashtu ka participuar në shumë konferenca shkencore që kanë pasur për temë mediat, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit.

Mefail Bajqinovci për revistën “AAB Alumni” shprehet teje i kënaqur me njohuritë që i ka fituar gjatë studimeve në AAB, të cilat njohuri çdo ditë e më shumë po i zbaton në vendin e punës.

“Ka qenë një përvojë brilante. Përgjithësisht ajo përvojë më ka ndihmuar më vonë edhe në ushtrimin, avancimin dhe përsosjen e këtij profesioni. Shumë nga rekomandimet teorike që kam përvetësuar gjatë viteve studimore në atë institucion edhe sot e kësaj dite mundohem t’i integroj në punën time si autor dhe gazetar i emisionit debatues “PULS”, emision ky që me popullaritetin dhe besueshmërinë që është duke gëzuar, dita ditës po shndërrohet në një dritare të vërtetë informative mbi shqetësimet e opinionit publik”.

Mefaili shton se përshtypjet gjatë studimeve në AAB janë të shumta “Si më emblematike do të veçoja mënyrën e hapur të ligjërimit nga stafi akademik, interaksionin që ky staf kishte ndërtuar me studentët, duke i trajtuar si bashkëpunëtorë në këtë gjakim për dije, e jo si kategori e subordinuar ndaj autoritetit të profesorit. Objektivisht kjo frymë e detabuizimit të figurës së autoritetit ligjërues mbetet mbase një nevojë qenësore për sistemin e edukimit në përgjithësi, dhe atë universitar në veçanti. Po ashtu nuk duhet harruar as rolin tejet konstruktiv të shumë prej kolegëve me të cilët kam studiuar në atë kohë, e që shumica prej tyre sot janë shndërruar edhe në figura relevante të opinionit publik”.

Mesazhi për të gjithë studentët e rinj, mbetet i thjeshtë; që vetëm duke punuar në zhvillimin dhe thellimin e kompetencës së tyre profesionale, shkencore e akademike do të mund të jenë pjesë e kësaj konkurrence. Në këtë mënyrë edhe do të mund t’i shërbejnë ngritjes së tyre individuale, vendit, shoqërisë si dhe shtetit ku jetojnë, veprojnë e punojnë.

 

Share: