“Ministrat” e BE-së, kundër liberalizimit të vizave për Kosovën

3 Qershor 2017

Në Kolegjin AAB ka vazhduar dita e dytë e Konferencës Ndërkombëtare studentore “Model European Union Kosova 2017”.

Me këtë rast, në seancën simuluese të Këshillit të Ministrave të BE-së, pas një debati të gjatë, u votua kundër Liberalizimit të Vizave për Kosovën. Me 17 vota pro (apo 33% të popullsisë), 4 kundër dhe 7 abstenime, Rezoluta për Liberalizimin e Vizave për Kosovën nuk kaloi.

Në seancën e sotme simuluese, Këshilli i Ministrave të BE-së debatoi mbi dy projekt-rezoluta, që janë Liberalizimi i Vizave dhe Rezoluta për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit në Evropë.

Konferenca e sotme simuluese është organizuar nga Instituti i CHAT-it në bashkëpunim me BETA e.V. dhe në partneritet me Kolegjin AAB. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin rreth 150 studentë, nga të cilët rreth 100 ndërkombëtarë.

Modeli i Bashkimit Evropian, gjithashtu i njohur si MEU është një konferencë simulimi ndërkombëtare, e procesit legjislativ të Kombeve të Bashkuara, e cila synon që të lidhë të rinjtë nga e gjithë Evropa për të mësuar në lidhje me funksionimin e brendshëm të BE-së dhe procedurave të saj legjislative.

Share: