Ndahet nga jeta profesori Shyqri Nimani, ish dekan në Fakultetin e Arteve në Kolegjin AAB

22 Qershor 2023
Professor Shyqri Nimani, former dean of the Faculty of Arts at AAB College, has passed away

Është ndarë nga jeta Shyqri Nimani, profesor dhe ish dekan në Fakultetin e Arteve në Kolegjin AAB. Profesor Nimani ishte artist kombëtar dhe pionier i dizajnit grafik të Kosovës.

Ai ka udhëhequr për një dekadë (2007-2017) Fakultetin e Arteve të Kolegjit AAB, ndërsa në rolin e mësimdhënësit në këtë fakultet ishte aktiv deri në vitin 2020, nga ku edhe mori titullin Profesor Emeritus.

Shyqri Nimani u lind në Shkodër më 6 maj 1941. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10. Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi. Profesor ordinar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976 – 1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i Qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979 – 1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Profesor Nimani u morr me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja.

Profesor Nimani do të mbahet mend edhe për dorëshkrimin kaligrafik të Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008.

Share: