Në AAB u diskutua për sfidat e gazetarit dhe të gazetarisë në Kosovë

15 Maj 2019

Gazetarët e Kosovës duhet të bëjnë më shumë se thjesht të sjellin storje. Ata duhet të përpiqen të hulumtojnë dhe të mbledhin informata të sakta në mënyrë që të ofrojnë kuptim më të thellë të zhvillimeve socio-politike.

Kështu u tha ndër të tjera, gjatë debatit të organizuar nga Fakulteti i Komunikimit Masiv në AAB në temën “Sfidat e gazetarit dhe të gazetarisë në Kosovë”, ku të pranishëm ishin: Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Arben Ahmeti, drejtor programi në Televizionin Dukagjini, Besnik Krasniqi, redaktor në Gazetën ‘Koha Ditore’ dhe Zekirija Shabani, kryeredaktor i Gazetës ‘INFOKUS’.

Gjatë këtij debati interkativ në mes studentëve dhe panelistëve u tha se gazetaria në Kosovë ka përparësitë e veta, mirëpo nuk mungojnë as sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët e mediumeve të ndryshme gjatë realizimit të storjeve të tyre. 

Gentiana Begolli, kryetare e Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës mes tjerash inkurajoi gazetarët e rinj, studentët e AAB-së, që në të ardhmen  të mos heshtin dhe të raportojnë për çdo kërcënim apo pengesë që iu bëhet gjatë kryerjes së punës së tyre, sepse vetëm kështu gazetarët do të arrijnë të kryejnë punën  e tyre ashtu siç edhe janë thirrur.

Edhe Besnik Krasniqi, redaktor në Gazetën ‘Koha Ditore’ gjatë fjalës së tij shtoi se profesioni i gazetarisë në Kosovë po ndryshon çdo ditë. Ai me studentët ndau edhe eksperiencat dhe hulumtimet e tij si gazetar si dhe bëri krahasime në mes të gazetarisë televizive dhe asaj online.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin edhe gazetarët Arben Ahmeti e Zekirija Shabani të cilët me shpalosjen e përvojave të tyre në gazetari krijuan edhe një debat tejet interaktiv me studentët e pranishëm në këtë aktivitet i cili u zhvillua në kuadër të “Ditëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv”.

Share: