Me në një ceremoni solemne të organizuar për pritjen e studentëve të rinj, në Kolegjin AAB sot zyrtarisht filloi viti akademik 2021/22.
Në pritjen e studentëve të rinj morën pjesë rektori i Kolegjit AAB, prof.dr.Bujar Demjaha me prorektorët dhe dekanët e fakulteteve që operojnë në kuadër të Kolegjit AAB.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha duke iu dëshiruar mirëseardhje studentëve të rinj, u uroi atyre suksese në studime. “Është një moment vendimtar në jetë, kur njeriu vendos kah dëshiron ta orientojë karrierën e tij të studimeve dhe në parim e përcakton se kah do të shkojë dhe me çfarë do të merret në jetën e tij.
Andaj është kënaqësi që këto momente po i ndajmë sot së bashku, dhe duke e ditur se AAB është pikënisje e suksesit për të ardhmen”, tha rektori Demjaha.
Ai përkujtoi studentët që të vazhdojnë të kenë kujdes nga pandemia Covid-19 dhe kërkoi nga ta që të respektojnë masat në fuqi për mbrojtje nga infektimi, ndërsa tha se i gjithë stafi i Kolegjit AAB do të jetë në shërbim të studentëve sa herë të kenë nevojë.
Nga ana tjetër, prorektori për çështje akademike, prof.dr. Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij mirëseardhëse për studentët e rinj, u tha atyre se kanë bërë zgjedhjen e duhur duke vendosur që të bëhen pjesë e Kolegjit AAB për rrugëtimin e tyre akademik.“
Ju jeni treguar të mençur në përzgjedhjen tuaj, sepse në AAB nuk është më e mira vetëm ajo që duket.
Krahas një infrastrukture bashkëkohore ne kemi përzgjedhur profesorët më të mirë për ju dhe kemi krijuar kushtet ideale, e kjo nënkupton respektimin e orarit, mundësitë për shfrytëzimin e bibliotekave, laboratorëve dhe jetës sociale e kulturore që e ofron AAB për të gjithë”, tha Vehapi.
Prorektori Vehapi kërkoi nga studentët e rinj, të jenë sa më aktiv, sa më kërkues, të mos heshtin dhe të sjellin ide të reja. “Fuqia juaj është shumë e madhe. Me zërin tuaj ju e ndihmoni veten por edhe zhvillimin e institucionit, andaj bëhuni sa më proaktiv”, kërkoi ai.
Në këtë ceremoni solemne, studentëve të rinj iu drejtua edhe kryetarja e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, Gentiana Uruçi e cila u tha atyre se US do të jetë gjithmonë përkrah kërkesave të tyre dhe kërkoi nga ta të jenë sa më bashkëpunues.
Viti akademik 2021/22 për studimet baçelor sot filloi edhe në dy degët e Kolegjit AAB në Ferizaj e Gjakovë, ndërsa risia e këtij viti janë edhe programet e reja studimore që janë akredituar në këto degë.