Në Kolegjin AAB u promovua romani “Rrota e ujit” i autores Resmije Kryeziu

19 Mars 2019

Në prani të studiuesve, dashamirësve të librit dhe studentëve, sot në Kolegjin AAB u bë promovimi i romanit “Rrota e ujit”, i autores Resmije Kryeziu. 

Për romanin “Rrota e ujit” folën studiues të letërsisë duke e vlerësuar lart këtë vepër letrare. Hysen Matoshi, drejtori i Institutit Albanologjik tha se ky roman të cilin do ta keni në duart tuaja tash e tutje është produkt i një raporti të pashkëputshëm emocional që autorja ka ndërtuar me njerëzit, me kohën dhe qytetin e saj të fëmijërisë, Gjakovën.

“Romani “Rrota e ujit” përmban një kërkim të kaluarës së autores.

Memorien e fëmijërisë së saj, jetën dhe kohën e një qyteti përplot rrëke lotësh.

Ky roman në këndvështrimin e sotëm është dëshmi e përsiatjes filozofike në botën që po jetojmë dhe është një testament dhembshurie përplot dashuri për brezat që do të jetojnë, për brezat që do të duan të njohin të jetuarën dhe të përjetuarën e një kohe tjetër”, tha Matoshi.

Shkrimtari, Gëzim Aliu në fjalën e tij tha se shkrimtarja Resmije Kryeziu,  njeh natyrën e letërsisë dhe se gjithmonë ka ditur dhe di si t’i qaset veprave që merr nën shqyrtim.

“Janë një varg elementesh që e mbajnë gjallë leximin e kësaj vepre narrative, gërshetimin narrator dhe autorit të nënkuptuar, storjet e numërta që lidhen motivueshëm në tërësi, personazhet e shumta, idetë, hapësira narrative apo më saktë ambienti dhe gjuha”, tha Aliu.

Ndërsa ligjëruesja Naile Demiri, romanin “Rrota e ujit” e vlerësoi si një vepër që i ka munguar letërsisë shqipe, vepër nga të mëdhatë jo vetëm për nga vëllimi por edhe për nga pasqyrimi i ngjarjeve që i kanë ndodhur shqiptarëve por edhe gjysmës së njerëzimit të botës.

Ndërsa, autorja e romanit “Rrota e ujit”, Resmije Kryeziu, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe përkrahësit që e ndihmuan në realizimin e këtij libri.

Ajo shtoi se pa njerëzit e saj të ngushtë, nuk do të arrinte të finalizonte këtë libër. Ajo falënderoi edhe Kolegjin AAB në veçanti për përkrahjen e promovimit të librit të saj më të ri.

Share: