Nisi rrugëtimin edicioni i tretë i Prishtina International Theater Festival 2019, në Kolegjin AAB

4 Nëntor 2019

Në praninë e një numri të madh artistësh, dashamirësh të artit, përfaqësuesish të institucioneve të Kosovës dhe studentëve, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, u hap sonte edicioni i tretë i festivalit të teatrove PITF2019.

Edicionin e tretë të PITF, e hapi drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha, e cila tha se gjatë këtij edicioni shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin produksione të realizuara teatrore që vijnë nga vende të ndryshme.

Ndërsa drejtoresha e kulturës në MKRS, Jehona Shyti, tha se ky edicion është më special sepse një ngjarje kulturore kur arrin të realizojë tre edicione të suksesshme, mund të arrijë edhe dhjetëra të tillë.

“Në emër të Ministrisë së Kulturës, unë dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për Kolegjin AAB që vërtetë është bërë një industri e vërtetë e ngjarjeve kulturore dhe që përcjellin shumë vlera”, tha Shyti.

Nata e parë e PITF2019, nisi me shfaqjen nikoqire të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, “Bretkosa” në regji të Burbuqe Berishës, e ku luajnë Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, shfaqje kjo që vjen jashtë programit garues.

Festivali do të zgjasë deri më 09 nëntor, ndërsa në programi garues nis të martën me shfaqjen nga Greqia “Moskov Selim”, produksion i Papalangki Theater Company.

    

Share: