Një grup studentësh nga Universiteti “Bedër” i Shqipërisë vizituan Kolegjin AAB

7 Qershor 2019

Një grup studentësh nga Fakulteti i Komunikimeve të Universitetit “Bedër” nga Shqipëria, qëndruan për vizitë në Kolegjin AAB dhe u njohën me veprimtarinë dhe infrastrukturën e AAB-së.

Vizita në Kolegjin AAB, institucionin më të madh jopublik në vend, e studentëve të degës së Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun në Universitetin “Bedër”, u realizua në kuadër të një ekskursioni studimor njëditor në Kosovë.

Ata u shprehën të entuziazmuar që Kosova posedon një institucion të këtillë studimesh, duke mos fshehur edhe dëshirën që në të ardhmen të bëhen pjesë e studimeve pranë Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB.

Të përcjellur nga profesoresha Edlira Mali dhe nga shefi i Departamentit të Komunikimeve në Universitetin “Bedër”, Erlis Çela, studentët mbetën të impresionuar pas vizitës së tyre në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, sallat e mësimit, laboratorët, bibliotekën moderne e të pasur me shumë tituj, palestrën sportive, si dhe ambientet e tjera relaksuese.

Gjatë kësaj vizite studentët u shoqëruan nga Prorektori për Shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu dhe Prorektorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Venera Llunji.

Kujtojmë që Kolegji AAB dhe Universiteti “Bedër”, janë partnerë bashkëpunimi, ndërsa deri tash disa herë kanë organizuar konferenca të përbashkëta shkencore dhe aktivitete të tjera bashkëpunimi.

Share: