Për studentët e gazetarisë në AAB, u mbajt ligjëratë me temën “Raportimi i mediave në temën e ekstremizmit”

26 Prill 2017

Në kuadër të fushatës “United for Peace” e cila ka për qëllim vetëdijesimin e të rinjve kosovarë kundër ekstremizmit të dhunshëm, gazetari Artan Haraqija mbajti një ligjëratë për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë me temën “Raportimi i mediave në temën e ekstremizmit”.

Gazetari Haraqija e nisi këtë ligjëratë duke u thënë studentëve se ata që duan të merren me gazetari, duhet t’i shmangin paragjykimet ndaj të tjerëve dhe nuk duhet të ndikohen nga asnjë deklarim që mund ta prekë interesin e pushtetit të vet: “Ajo që ne duhet të luftojmë tërë jetën si gazetarë, është misioni ynë, që ta kthejmë në normalitet pranimin se dikush është i ndryshëm nga të tjerët” , tha Haraqija.

Ai u shpjegoi studentëve se gazetarët duhet të bëjnë gazetari hulumtuese, në rast se shohin një temë që ka interes publik, të fillojnë që të merren me të, të sjellin fakte dhe argumente për ngjarjen, por siç thekson ai, gazetarët nuk mund ta bëjnë zgjidhjen, pasi që atë e bëjnë autoritetet përkatëse.

“Ne plot herë, edhe kur kemi raportuar për korrupsion, ankesa kryesore ishte pse ne s’po bëjmë asgjë. Fuqia jonë fillon dhe përfundon me shkronja, nuk kemi pushtet prokurorie e as gjykate që të themi, “po, ka shkelje në punën e një tenderi dhe hajde ta çojmë këtë apo atë në burg”’. E jona është të hulumtojmë, të gjejmë fakte, ta respektojmë Kodin e Etikës, personin që e përmendim, të luftojmë që t’i ofrojmë mundësinë që edhe ai apo ajo të japë deklaratë për temën që po merret më të, qoftë negative apo pozitive dhe këtu përfundon puna jonë”, u tha studentëve të AAB-së, gazetari Artan Haraqija.

Ai në këtë ligjëratë foli edhe përvojat e ndryshme që ka pasur gjatë hulumtimit të temave të ndryshme, duke u treguar për sfidat me të cilat është ballafaquar, deri te rreziqet dhe kërcënimet.

Ne fund të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë bënë pyetje si dhe dhanë opinionet e tyre qofshin pozitive apo negative për raportimin në media në temën e ekstremizmit fetar në vend.

Artan Haraqija është një gazetar me përvojë të gjatë në gazetarinë hulumtuese. Ai ka punuar në disa media në Kosovë ku ka hulumtuar tema të ndryshme si korrupsionin, krimin e organizuar, problemet në sektorë të ndryshëm, si dhe kohëve të fundit ka raportuar mbi temat rreth ekstremizmit të dhunshëm në emër të fesë.

Share: