Përfundoi konferenca shkencore ndërkombëtare, organizuar nga Universiteti i Elbasanit, Kolegjit AAB, Universitetit të Firences dhe ai i Tiranës

13 Maj 2022

Mbylli punimet konferenca shkencore “Kujtesa kolektive në letërsi dhe media” e organizuar nga Universiteti i Elbasanit, Kolegji AAB, Universiteti i Firences dhe Universiteti i Tiranës.

Në këtë konferencë u prezantuan 46 kumtesa nga studiues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Italia, të cilët fokus të veçantë kishin kujtesën kolektive nga e kaluara dhe të cilën e kthen në aktualitet media në ditët e sotme, qoftë për sensibilitetin dhe vuajtjet e njerëzve që kanë pasur, apo edhe me tendencë të rehabilitimit të disa figurave diktatoriale të këtyre vendeve. Diktatura enveriste, fashizmi në Itali dhe periudha e luftës 1999 në Kosovë, ishin në fokus të një pjese të kumtesave shkencore të cilat u prezantuan nga studiuesit në këtë konferencë.

Zëvendësrektorja e Universitetit të Elbasanit, Edlira Fetahu, falënderoi Kolegjin AAB (Kosovë) dhe Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Firences (Itali) për shkak se kjo konferencë për mediat dhe letërsinë është e dyta me radhë e organizuar në partneritet me këto dy institucione.

Sipas dekanit të Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, Hasan Saliu, FKM tashmë ka konsoliduar bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Elbasanit dhe Universitetin e Firences. “Fryt i këtij bashkëpunimi është organizimi i përbashkët i disa konferencave shkencore ndërkombëtare me Tiranën, Elbasanin dhe Firencen, ndërsa prof. Pezzoli nga Firence vitin e kaluar ka qenë ligjëruese vizitore në Kolegjin AAB”, tha ai. Në këtë konferencë me punimet e tyre u prezantuan edhe profesorët nga Fakulteti i Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB, Dr. Gazmend Abrashi, Dr. Ardita Reçi, Dr. Xhevahire Izmaku, Dr. Hasan Saliu etj. 

Share: