Sot nga ora 10:00-15:00 është mbajtur dita e dytë e Panairit të Karrierës dhe Punësimit në Kolegjin AAB, duke shënuar kështu edhe mbylljen e edicionit të dytë të këtij panairi. Interesimi i madh nga studentët ishte matësi më i mirë i suksesit që pati një organizim i tillë nga Kolegji AAB.
Suksesin e panairit e konfirmoi edhe organizatorja Gresa Makolli, e cila tha se gjithçka shkoi shumë mirë dhe aplikimet e studentëve për vende të punës ose realizimin e praktikës te kompanitë pjesëmarrëse ishte në numër të madh. Unioni Studentor ka ndihmuar të gjitha kompanitë gjatë panairit në mënyrë vullnetare për ta lehtësuar punën e tyre, por edhe për t’i njoftuar studentët e AAB.
Ky edicion solli afro 60 kompani nga të gjitha fushat të përafërta me programet studimore të Kolegjit AAB, përfaqësuesit e të cilave shprehën mirënjohje për këtë organizim.