PITF që bashkoi teatrot e botës në Kosovë përfundon edicionin e shtatë me Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve

30 Maj 2023
The PITF that united the theaters of the world in Kosovo ends its seventh edition with the Awards Ceremony

Është përmbyllur me sukses të jashtëzakonshëm edicioni i shtatë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend “Prishtina International Theater Festival” që bashkoi kulturën, artin, përvojat, kreativitetin e shumë shteteve të botës në Kosovë për shtatë ditë me radhë.

Kjo përmbyllje u shënua me momentin kulminant të një ngjarje të këtij lloji siç ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve e organizuar në bashkëpunim me Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV e cila përcolli dhe shpërbleu garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Kroacia, Spanja, Turqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova. Data e përfundimit të festivalit jo rastësisht përkonte me ditëlindjen e drejtoreshës së ndjerë artistike të këtij festivali Burbuqe Berisha, e cila u kujtua përmes një kolazhi të fotografive duke shprehur dashurinë dhe mirënjohjen ndaj saj përgjithmonë. Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi, tha se pas një pune dhe angazhimi të madh nga gjithë ekipi nata e fundit e PITF është më e rëndësishmja për të gjithë garuesit. Ajo shtoi se ishte nder dhe privilegj që audienca ishte e kënaqur me shumëllojshmërinë e shfaqjeve dhe shteteve pjesëmarrëse, ndërsa falënderoi juritë për vlerësimet e tyre, në veçanti jurinë e studentëve për angazhimin dhe vullnetarëve për punën që bënë.

Këtë edicion të PITF 2023 çmimin kryesor për aktorin ose aktoren më të mirë e fitoi Buga Marija Šimić nga shfaqja “Rusalka” e Kroacisë. Ajo falënderoi të gjithë audiencën dhe organizatorët e festivalit ndërsa shprehi emocionet e saj, duke thënë se një nga ëndrrat e saj tashmë u bë realitet, të vlerësohej për punën dhe artin e saj.

Kjo është lista e plotë e çmimeve nga edicioni i shtatë PITF 2023:

Special Mention: Armond Morina – “Club Albania” – Kosova

Çmimi “Best Play: Students’ Choice” – “Arbri” – Kosova

Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Arbri” – Kosova

Çmimi “Best Supporting Actor” – Ard Islami “Club Albania” – Kosova

Çmimi “Best Director” – Fatos Berisha “Club Albania” – Kosova

Çmimi “Best Play” – “Fireworks – Sparks of life” – Spanja

Çmimi kryesor i PITF 2023 “Best Actor” – Buga Marija Šimić “Rusalka” – Kroacia

Share: