PITF2019 u mbyll me ceremoni madhështore të ndarjes së shpërblimeve

Në një ceremoni madhështore të organizuar në Teatrin AAB “Faruk Begolli” dhe me transmetim të drejtpërdrejtë në Radio Televizionin e Kosovës, në mbrëmjen e së shtunës u ndanë çmimet e edicionit të tretë të Prishtina International Theater Festival 2019.
Juria profesionale e PITF2019, e përbërë nga Konstandinka Velkovska, aktore nga Kroacia, Zijad Mehic, producent nga BeH dhe Adriana Matoshi, aktore nga Kosova, ndanë çmimet e festivalit: Shfaqja më e mirë; Regjia më e mirë; Aktori më i mirë në rol dytësor dhe Aktori më i mirë.
Çmimi kryesor i festivalit, Aktori më i mirë, i takoi aktorit nga Maqedonia e Veriut, Tome Stanovski, për rolin e tij në shfaqjen “I’m Actor Human”.
“Prishtina është zemra ime. Ky është shpërblimi im i parë në karrierë dhe uk do ta harroj kurrë”, u shpreh aktori Stanovski, duke falënderuar organizatorët. Ai tha se ky festival është hera e tretë që organizohet por ke përshtypjen që kanë kaluar 50 edicione të tij.
Për rolin më të mirë dytësor u shpërblye aktori i gjeneratës së re nga Kosova, Mikel Markaj, pjesë e kastës së aktorëve në shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë” me regji të Zana Hoxhës.
Çmimi për regjisorin më të mirë e fitoi regjisori grek, Angelopoulos Tasos për shfaqjen e tij “Moskov Selim”, e cila u vlerësua për gjetjet regjisoriale të sjella në këtë edicion të festivalit.
Çmimin për kategori e ndau producenti i njohur nga BeH, Zijad Mehić, i cili tha se ky festival do të rritet dhe do të shndërrohet në një festival të madh ndërkombëtar.
Shfaqja nga Kroacia “Voliš li me”, në regji të Janez Vajevec, njërit nga emrat më të njohur të artit skenik dhe mësimdhënësve më në zë të aktrimit në Slloveni, mori çmimin e dyfishtë për shfaqjen më të mirë. Kjo shfaqje u shpërblye nga juria profesionale por edhe nga juria e medias. Fituesit e këtij çmimi, aktorët Vesna Tominac e Žiga Čamernik, fitoren ia dedikuan tërë ekipit të shfaqjes, ndërsa e vlerësuan jashtëzakonisht të rëndësishëm këtë shpërblim.
Një ndër shpërblimet e veçanta të këtij festivali ishte edhe çmimi i jurisë së studentëve për shfaqjen më të mirë, e i cili i takoi shfaqjes “Truth or Dare”, nga Bullgaria. “Gjithçka ishte e mrekullueshme këtu. Ishim të entuziazmuar për pjesëmarrjen në këtë festival dhe jemi shumë të lumtur. Ju faleminderit shumë!”, u shprehën aktorët nga Bullgaria.
Edicioni i trëtë i Prishtina International Theater Festival, i vetmi festival në vend me karakter ndërkombëtar, solli në programin garues pesë shfaqje teatrore.
Edicioni i radhës, i katërti me radhë, do të organizohet në muajin maj 2020.

         

INSTITUTI AAB
APLIKO