Po zhvillon punimet Konferenca e Tretë Studentore për Shkenca Sociale në Kolegjin AAB

24 Shkurt 2020

Organizuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Kolegjin AAB, për herë të tretë radhazi po zhvillon punimet Konferenca Studentore, e ku studentët e këtij fakulteti po marrin pjesë me hulumtimet e tyre.

Në hapje të konferencës, dekani Hysen Kasumi tha se është krenar me punën e studentëve dhe se konferenca si kjo tashmë janë traditë e njësisë tonë akademike. “I tërë ky organizim ka të bëjë me përpjekjet tona të vazhdueshme që të ngrisim cilësinë dhe të pajisim studentët tanë me shkathtësi, njohuri dhe besim për tregun e punës, atëherë kur ne nuk do jemi afër tyre dhe ata do të jenë të pavarur për të punuar pa ndihmën e askujt”, tha Kasumi.

Njëra prej studenteve pjesëmarrëse, Viola Vllasolli në këtë konferencë u prezantua me temën “Gjithë përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në institucionet parashkollore”. Ajo u shpreh se këto organizime janë një ndihmesë shumë e madhe për studentët të cilët marrin pjesë.

“Unë gjithmonë marrë pjesë në organizime të tilla, pasi gjithmonë në përfundim kuptoj se po arrij të mësojë gjëra të reja që më parë kanë qenë të panjohura për mua. Mbajtja e këtyre konferencave ndikon shumë në përgatitjen profesionale të tërë studentëve”, tha Viola.

Temat të cilat po trajtohen në kuadër të kësaj konference kanë të bëjnë me institucionet parashkollore, fëmijët dhe nevojat e tyre, prindërit dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet institucionale e shumë te tjera. Në fund, studentët pjesëmarrës do të kenë mundësi të diskutojnë për të gjitha temat e prezantuara.

Share: