Reformat në arsim janë shumë të rëndësishme për zvogëlimin e hendekut të shkathtësive

26 Mars 2021
Kolegji AAB

Prorektorja për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Venera Llunji, ishte pjesë e forumit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, ku u diskutua për nevojën e reformës në arsim si dhe mungesën e shkathtësive të të rinjve të diplomuar në arsimin e lartë.

Në këtë forum virtual u tha se shkalla e papunësisë te të rinjtë në vendin tonë, vazhdon të jetë e lartë, pavarësisht numrit të lartë të të regjistruarve në arsimin universitar. Sipas panelistëve ky fakt është tregues që reflekton mospërputhjen në mes të aftësive të ofruara në tregun e punës dhe atyre që kërkohen nga punëdhënësit.

Prorektorja Llunji, duke trajtuar këtë problematikë theksoi se në një situatë të tillë nuk mund të fajësohet asnjë nivel specifikisht për hendekun e shkathtësive, sepse të gjitha nivelet e sistemit arsimor janë hallka të lidhura me njëra tjetrën. Ajo nënvizoi situatën shqetësuese të arsimit në Kosovë, ku tha se i njëjti ka rënë drastikisht në çdo nivel, duke përmendur të ashtuquajturin analfabetizëm funksional si një faktor shumë negativ, prezent në Kosovë.

Sipas Llunjit, është mirë që të ketë bashkëpunim në mes të institucioneve të arsimit dhe bizneseve, në mënyrë që të identifikohen kërkesat e tregut dhe të krijohen programet arsimore që përputhen me të njëjtën.

Share: