Shfaqja “Shërbëtoret”, nga Shqipëria vjen sonte në PITF2018

4 Dhjetor 2018

Sonte nga ora 19:00 në programin garues të “Prishtina International Theater Festival” prezantohet Shqipëria me shfaqjen “Shërbëtoret” me regji nga Kiço Londo.

E krijuar për tu luajtur në teatër, kjo shfaqja shtjellon ngjarjet e dy shërbëtoreve Solange dhe Claire, të cilat performojnë rituale sadomasokiste kur zonja e tyre (Madame) nuk është aty, role këto që luhen nga aktoret shqiptare, Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri.

Në konferencën për media, regjisori i shfaqjes Kiço Londo tha se shfaqja që do luhet sonte tashmë është e njohur për shumicën, mirëpo interpretimi nga aktoret e reja e të Shqipërisë e bën edhe më të veçantë natën e sotme.

“Së pari më lejoni të ju falënderoj për mundësinë që na keni krijuar që të jemi pjesë e kësaj gare, aq më tepër që kjo garë zhvillohet në Prishtinë.Teksti i shfaqejes së Shërbëtorit është tashmë një tekst klasik i njohur dhe vjen kësaj radhe si produksion i teatrit kombëtar të Shqipërisë dhe me interpretimin e vajzave të reja që janë nga më kreativet e teatrit shqiptar” tha regjisori i shfaqjes Londo.

Ndërsa, aktorja Laura Nezha e cilësoi shfaqjen që do luhet sonte në PITF si sfiduese, mirëpo kjo sipas saj nuk i ndalë të tri aktoret që të kenë përformancë të mirë.

“Rolet janë një sfidë në vete dhe e vazhdueshme që ne e konstatojmë sa herë që e levizim këtë shfaqje, qoft në festivale apo qytete të ndryshme. Është nga ato pjesë që nuk mund të rri asnjëherë në stop apo nuk mund të nisi asnjëherë nga zero. Ka pjesë shumë emocionuese, mirëpo mendoj që do i’a dalim mirë”, tha aktorja Nezha.

Kujtojmë se nata e pestë e festivalit “PITF” 2018, mbrëmë solli shfaqjen nga Kroacia “Si nëna, si bija”, të regjisorit Jasmin Novljaković.

Sonte pas shfaqjes “Shërbëtoret”, në programin off të PITF2018, performon këngëtari Art Lokaj. 

Edicioni i dytë i PITF 2018 do të mbyllet nesër mbrëma, me shfaqjen nga Kosova, produksion i Teatrit AAB “Faruk Begolli”, “Holly Shit” nën regjinë e Ilir Bokshit. Pas shfaqjes do të organizohet edhe Ceremonia Solemne e ndarjes së çmimeve të PITF2018.

 

 

 

Share: