Sonte fillon “Prishtina International Theater Festival” PITF 2017

16 Tetor 2017

Duke filluar nga 16 deri më 21 tetor, në Teatrin AAB “Faruk Begolli” do të mbahet edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017).

Në konferencën për media, të organizuar me këtë rast,  Ilir Tafa, drejtor i festivalit “Prishtina International Theater Festival 2017”, tha se ideja për organizimin e këtij festivali ka ardhur si pasojë e mungesës së një festivali të tillë ndërkombëtar në Kosovë.

“Më herët ka pasur inciativa, ka pasur festivale të ndryshme, ndërsa kohëve të fundit ështëndërprerë organizimi i festivaleve. Më shumë kemi festivale për filma, kurse për teatër, momentalisht jemi të parët që do ta kemi një Festival Ndërkombëtar”, tha drejtori Tafa.

Ai njoftoi mediat se në këtë festival do të jenë shtatë shfaqje, gjashtë nga të cilat do të garojnë për shpërblimet e festivalit.

Ai ka njoftuar edhe për vlerësimin që do të bëhet për shfaqjet konkurruese, ku do të ketë tri juri të ndryshme: “Juria qendrore që do t’i zgjedhë çmimet kryesore, aktorin/aktoren më të mirë, shfaqjen më të mirë dhe regjinë më të mirë. Poashtu, do ta kemi edhe jurinë e mediave, e cila do të përbëhet nga përfaqësues të mediave. Do ta kemi gjithashtu edhe jurinë e studentëve, pasi që këtij festivali dëshirojmë t’i japim edhe frymë studentore, pasi që Teatri AAB është në kuadër të Kolegjit AAB”, theksoi drejtori i festivalit PITF 2017, Ilir Tafa.

Ndërsa, drejtoresha artistike e festivalit Burbuqe Berisha, në këtë konferencë për media tha se në mungesë të ballafaqimit të teatrove të Kosovës me teatrot e botës, festivali PITF 2017 është i pari në vend që jep mundësi të ballafaqohemi edhe me artet e kulurat e ndryshme teatrore që vijnë nga rajoni, edhe nga bota.

Ajo foli edhe për shfaqjet që do të jepen gjatë festivalit PITF 2017 në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli’, duke thënë se aplikimi ka qenë i hapur, ndërsa seleksionimi i shfaqjeve që do të marrin pjesë në këtë festival nuk ka qenë edhe i lehtë.

Drejtoresha artistike e festivalit PITF 2017 tha se ky festival është me 99% vetfinancim nga AAB Teatrit “Faruk Begolli” dhe ka shpërblimet më reprezentavive të festivaleve në rajon. “Me plot guxim e them këtë, sepse unë mendoj se në rajon nuk ka festival që jep shpërblime kaq të mëdha”, tha ajo.

Festivali “Prishtina International Theater Festival”, PITF 2017, nis sonte me shfaqjen nga Kroacia “Dhe jetuan të lumtura…”, ndërsa fillon në orën 20,00.

Festivali PITF 2017 do të ndajë këto çmime:

–           Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë në rol kryesor;

–           Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë në rol dytësor;

–           Çmimin për regjinë më të mirë;

–           Çmimin për shfaqjen më të mirë.

Gjatë tërë festivalit, krahas programit zyrtar do të ketë edhe program off për pjesëmarrësit e festivalit dhe të interesuarit e tjerë.

PITF 2017 do të mbyllet të shtunën më 21 tetor 2017, me ndarjen e çmimeve.

Për më shumë informacione rreth programit të festivalit, klikoni linkun zyrtar: http://www.teatriaab.com/pitf/programi

Share: