Sonte nis edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Prishtina International Theater Festival – PITF 2019”

4 Nëntor 2019

Me moton “Dije. Besim. Guxim”, ka nisur sot rrugëtimin e tij, edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, PITF2019, që organizohet nga Kolegji AAB dhe Teatri AAB “Faruk Begolli”.

Në konferencën e organizuar për media, Ilir Tafa, drejtori i përgjithshëm i Festivalit, bëri të ditur se në kuadër të programit garues të këtij edicioni, për herë të parë do të vijë në skenën e Teatrit AAB “Faruk Begolli” edhe një trupë teatrore nga Greqia. Tafa, theksoi se gjithashtu në këtë edicion do të garojnë edhe shfaqje nga Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Nga ana tjetër, drejtoresha artistike e festivalit PITF2019, Burbuqe Berisha, duke folur për programin e këtij edicioni tha se PITF, ka në fokus shfaqjet më atraktive nga rajoni dhe vendi. “Shfaqja nga Greqia do jetë për herë të parë pjesëmarrëse në festival, shtetet tjera në konkurrencë janë Kroacia që gjithmonë ka sjellë shfaqje atraktive për shikuesit, Maqedonia e Veriut, Bullgaria si dhe shfaqja e Teatrit të Gjakovës “Shumë zhurmë për asgjë””.

Ajo që e bën të veçantë Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove, është edhe pjesa artistike jashtë programit garues. Për këtë çështje Azra Desic, koordinatore e festivalit, theksoi se këtë vit organizatorët e festivalit janë fokusuar kryesisht te studentët e Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB, të cilët janë yje në rritje në skenën muzikore, e të cilëve do t’ u jepet hapësirë e veçantë.

PITF 2019 do të zgjasë deri të shtunën më 09 nëntor, kur do të mbahet edhe ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve.

Share: