Studentët e Kolegjit AAB target edhe i rrjetit më të madh të klinikave gjermane “SANA Kliniken AG”

26 Prill 2019

Rrjeti më i madh i klinikave gjermane “SANA Kliniken AG”, e cila përbëhet nga rreth 60 klinika mjekësore, duke filluar nga klinikat spitalore universitare e deri te spitalet regjionale, në stafin e tyre profesional do të kenë edhe infermierë të diplomuar në Kolegjin AAB.

Një gjë e tillë është arritur falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB dhe SANA Kliniken AG, në vizitën zyrtare të përfaqësuesve gjermanë, ku ishin prezentë Martina Trautner, drejtoreshë në Spitali Karl-Olga në Shtutgart, Ronald Thomiczny, drejtor në Spitalin kirurgjik të zemrës Sana në Stutgart, dhe sekretari i përgjithshëm i Sana Kliniken, Michale Rabus, me përfaqësuesit e Kolegjit AAB.

Partnerët gjermanë, zhvilluan edhe një takim të rëndësishëm me studentët e infermierisë, ku shpalosën detajet e realizimit të programit, ndërsa u shprehën të mahnitur me kushtet e studimeve në Kolegjin AAB dhe në veçanti me arritjet e Fakultetit të Infermierisë.

Me këtë rast, 120 studentë janë intervistuar nga ekspertët gjermanë, ndërsa ata do të vazhdojnë përgatitjen e tyre profesionale si dhe përgatitjet për gjuhën gjermane, përmes kompanisë Lingua që do të mbështeten nga SANA Kliniken.

Në takimin me studentët të partnerëve gjermanë, dekani i Fakulteti të Infermierisë në Kolegjin AAB, prof.dr. Idriz Sopjani, arritjen e kësaj marrëveshjeje e quajti si një hap tjetër të madh të Kolegjit AAB me një partner tejet serioz, siç është SANA Kliniken. Sopjani tha se është tejet emocionuese për ne, që studentët tanë ende pa përfunduar studimet do të kenë mundësi të nënshkruajnë kontrata pune duke mundësuar sistemimin e tyre në tregun e punës edhe atë në tregun evropian.

Kujtojmë se Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, është institucioni i vetëm i cili kohë më parë arriti marrëveshje edhe me ERGO Group, përmes së cilës qindra studentë tashmë kanë nënshkruar kontratat e punës. Ndërsa në brenda Fakultetit të Infermierisë funksionon edhe Programi i Karrierës dhe Punësimit, në kuadër të së cilit studentët krahas studimeve po vijojnë edhe kurset intensive të gjuhës gjermane, pa pagesë.

Share: