Vetëm gjatë tri javëve të fundit, Kolegji AAB ka dalë me tri publikime të rëndësishme shkencore.
Fjala është për librin studimor me titull “Roli dhe pozita juridike e Presidentit të Republikës së Kosovës – 111 pyetje dhe përgjigje”, i autorëve Besim Kajtazi dhe Florent Muçaj; Libri me punimet nga Konferenca shkencore ndërkombëtare e organizuar nga AAB-ja dhe në partneritet me disa universitete të tjera, si dhe, revista shkencore ndërkombëtare “Thesis”.
Në librin për rolin e presidentit, autorët japin përgjigje në 111 pyetje që kanë të bëjnë me rolin dhe pozitën juridike të presidentes së Kosovës: si emërohet dhe si shkarkohet kryetari i KQZ-së nga presidenti i Kosovës?; cili është roli i presidentes në politikën e jashtme?; si e përfaqëson presidentja unitetin e popullit?; si e garanton presidentja funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të Kosovës etj..
Libri i Konferencës përfshin 7 studime me 12 autorë të cilat janë prezantuar në konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Perspektivat e integrimit të Ballkanit perëndimor në BE”, e cila konferencë u mbajt në Kolegjin AAB në muajin prill, në bashkëpunim me Universitetin e Osjekut, Sarajevës, Universitetin e Europës Juglindore, Durrësit, FON-Shkup dhe Korçës.
Në këtë libër janë publikuar studimet e pjesëmarrësve që vijnë nga universitetet e Kroacisë, Turqisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Shqipërisë etj.
Botimi i tretë i Kolegjit AAB që këto ditë doli nga shtypi, është revista shkencore ndërkombëtare “Thesis”. Në 280 faqet e këtij numri janë përfshirë artikujt shkencorë të studiuesve nga universitete prestigjioze në botë, si: University College London, Universiteti Roma Tre, Universiteti Vrije i Brukselit, Universiteti japonez i Osakas, Hellenic Open University, Kaplan Higher Education Singapore, nga Kolegji AAB, Universiteti gjerman Bielefeld, etj..
Të tri botimet lexuesit mund t’ i gjejnë në Librarinë dhe Bibliotekën e Kolegjit AAB.