U mbajt diksutimi motivues “Facetime with a manager” me udhëheqësin e ProEx, Ylber Kuraja

13 Nëntor 2021

Falë bashkëpunimit me Odën Ekonomike Amerikane, në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB u zhvillua diskutimi motivues, ku i ftuar ishte z.Ylber Kuraja, CEO ne ProEx.

z.Kuraja, si një nga menaxherët më të suksesshëm në Kosovë, shpalosi sfidat dhe eksperiencën e tij personale në rrugëtimin e tij biznesor.

Një nga detajet që përmendi z.Kuraja, ishte “Ligji i sakrificës”, që sipas tij, falë këtij ligji ka arritur të tregtojë me sukses, por gjithashtu potencoi që për sukses duhet të punosh mençur dhe fort (“smart&hard”).

Z.Kuraja, u dha disa këshilla studentëve që në të ardhmen synojnë të bëhen menaxherë: të kenë synim të hynë në 10% e njerëzve e jo në 80%, kuptim ky që të jenë të ndryshëm në punën që e bëjnë.

Kjo mund të arrihet falë tri pikave kyç: të definojnë qëllimin afatgjatë, të përdorin kalendarin, dhe njëkohësisht të jenë në përcjellje të tij, dhe e fundit të kontrollojnë veten se a jemi duke i arritur qëllimet me kohë duke u bazuar në kalendar. Kështu do kemi një performancë të mirë si menaxher, tha Kuraja.

Z. Kuraja u tha studentëve se menaxher nuk lind por bëhesh me përkushtim, dhe se nuk ka menaxheri ideal. Menaxher i suksesshëm është ai i cili prodhon menaxherë të tjerë. Ai gjithashtu shtoi se për t’ u punësuar si menaxher nuk është aq e rëndësishme përvoja e punës, sa është e rëndësishme qasja për të bërë punën shumë më mirë se sa që të është thënë për ta bërë.

Ky takim me z.Kuraja u përmbyll me një seancë pyetje përgjigje nga studentët, nga të cilat në pyetjen e studentëve se cilat janë tri tiparet e një menaxheri të suksesshëm nga aspekti i karakterit, z.Kuraja, dha një përgjigje të prerë dhe të qartë: sinqeriteti, disiplina dhe kurioziteti.

Share: