Bujar Demjaha emërohet Rektor i Kolegjit AAB

15 Janar 2020

Këshilli Drejtues i Kolegjit AAB, organi më i lartë drejtues i institucionit, bazuar në kompetencat e tij ka emëruar sot në pozitën e Rektorit të Kolegjit AAB, Bujar Demjahën.

Demjaha do ta pasojë rektorin e deritanishëm Lulzim Tafa, i cili pas përfundimit të mandatit të dytë në pozitën e rektorit, me shumicën e votave të anëtarëve u emërua Kryetar i Këshillit Drejtues.

 

Bujar Demjaha, është emër i njohur në botën e akademisë në Kosovë e më gjërë, i specializuar në fushën e arkitekturës e të urbanizmit. Ai ka mbaruar studimet e doktoraturës në fushën e arkitekturës në Universitetin e Sarajevës, ndërsa gradën e doktorit të shkencave e ka marrë edhe në Universitetin për Teknologji të Vjenës, në fushën e arkitekturës dhe të planifikimit hapësinor.

Përveç angazhimit akademik si profesor i lëndëve të arkitekturës në Kolegjin AAB, Universitetin e Prishtinës e në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Demjaha ka qenë edhe bartës i pozitave të rëndësishme publike, si: Drejtor i Planifikimit Urban dhe Rajonal në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, shef i Seksionit të Teknologjisë në MAShT, Koordinator i Projektit për Planifikimin e Integruar në MKRS,dhe në dhjetëra pozita të tjera.

Ka botuar dhjetëra libra, monografi e punime shkencore në revista prestigjioze shkencore. Demjaha është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, ndër të cilët edhe çmimin e parë për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ka realizuar qindra projekte arkitektonike të objekteve të ndryshme shkollore, artistike, administrative, sportive, etj., ndërsa kontributin e tij e ka dhënë edhe në dhjetëra projekte të konservimit dhe restaurimit të objekteve të vjetra në Kosovë.

Në objektivat e rektorit të ri, krahas zhvillimit të mëtejmë të institucionit më të madh jopublik të arsimit të lartë në vend, në fokus do të jetë edhe ndërkombëtarizimi i Kolegjit AAB.

 

 

 

Share: