Doli numri më i ri i revistës shkencore THESIS, me punime nga konferenca “Informacioni global përballë kulturave kombëtare”

11 Dhjetor 2015

Doli nga shtypi numri më i ri i revistës kërkimore-ndërkombëtare THESIS, me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, botim i Kolegjit AAB. Në këtë numër tematik janë përfshirë punime nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare për komunikimet dhe studimet mediatike, “Informacioni global përballë kulturave kombëtare”, e cila u organizua nga Fakulteti i Komunikimit Masiv i Kolegjit AAB në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, Ecole Superieure de Journalisme të Parisit, shkolla më e vjetër e gazetarisë në botë dhe IPAG Business Shool të Parisit, e cila i zhvilloi punimet më 29-30 maj të vitit 2015, në Kolegjin AAB në Prishtinë.

Kryeredaktori i kësaj reviste Masar Stavileci, dhe zv/kryeredaktori Hasan Saliu, në vend të editorialit, në një shkrim të tyre kanë shkruar se konferenca “Informacioni global përballë kulturave kombëtare”, kishte për qëllim që të bëjë bashkë studiuesit e komunikimit masiv dhe medieve nga viset mbarëshqiptare dhe më gjerë; për të prezantuar gjetjet e kërkimeve të tyre mediatike; të shtojë përvoja, ide dhe të diskutojë për çështje të tjera relevante profesionale, duke i parë ato nga perspektiva historike.

Në konferencën në fjalë ishin prezantuar 45 kumtesa, ndërsa 29 punime janë përfshirë  në revistën e cila ka gjithsej 800 faqe, në shqip dhe anglisht.

 Numrin e ri të revistës mund ta merrni në bibliotekën dhe librarinë e AAB-së, dhe mund ta shfletoni gjithashtu edhe në uebfaqen zyrtare të Kolegjit AAB.

 

http://aab-edu.net/uploads/docs/thesis/2015/Thesis_02-2015_shqip%20(numer%20tematik).pdf 

http://aabedu.net/uploads/docs/thesis/2015/Thesis_022015_anglish%20(number%20of%20thematic).pdf

 

Share: