Kuqi: Mbrojtaj e femijeve eshte investim edhe per te ardhmen tone

1 Qershor 2015

Në kuadër të Manifestimit “Ditët e AAB-së, 2015”, dhe me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Fakulteti Juridik i AAB-së, mbajti tryezë në temën “Pozita e fëmijëve në shoqëri, të drejtat e tyre dhe format e ndryshme të abuzimit”, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, profesorë dhe studentë të AAB-së, mysafirë dhe të interesuar të tjerë.

Fillimisht, rektori i AAB-së, prof. dr. Lulzim Tafa, pasi hapi debatin dhe përshëndeti mysafirët dhe i falënderoi ata për pjesëmarrje në debat, foli për Manifestimin “Ditët e AAB-së, 2015”, historikun e AAB-së, dhe  mundësitë që ofron ky institucion i lartë arsimor. Ndërsa, dekani i  Fakultetit Juridik, prof. dr. Muhamet Kelmendi, pasi falënderoi të pranishmit mbi të gjitha i njoftoi se AAB-ja është një institucion që ka traditë të gjatë në organizimin e debateve nga fusha të ndryshme, me interes për studentët dhe për opinionin e gjerë.

Hajredin Kuqi, ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, tha se angazhimi për të drejtat e fëmijëve nuk duhet të jetë vetëm nga institucionet, por duhet të nisë nga familja, rrethi, shkollimi, etj. “Faktorët që ndikojnë;   një ambient që respektimi i të drejtave të fëmijëve të jetë i përshtatshëm-  e para ta kemi ambientin ku fëmijët të trajtohen si pjesë e ardhmërisë së shoqërisë, dhe kjo nënkupton që më shumë të rregullojmë ambientin dhe qasjen ndaj fëmijëve;e dyta të gjithë të kujdesshëm, në parandalimin e veprimeve delikuente, dhe se si familjet duhet të ndihmojë fëmijët për t’i mbrojtur nga të gjitha dukuritë negative, dhe ta integrojë në shoqëri. Mbrojta e fëmijëve është investim edhe për të ardhmen tonë”, tha ministri Kuqi.

Z. Behxhet Shala, nga KMDLNJ, tha se të drejtat e fëmijëve janë të drejta universale, dhe se ne kemi ligje të mrekullueshme, por situata është krejtësisht ndryshe. Fëmijët kanë të drejtë për një shkollim cilësor që nga çerdhja e deri te  shkollimi universitar,  kanë të drejtë për një shëndetësi më të mirë, sepse kanë të drejtë ta kenë një perspektivë më të mirë, por kushtet aktuale në Kosovë nuk garantojnë perspektivë siç ju garantohet fëmijëve të vendeve të Bashkimit Evropian.  Shala tha  po ta kishim një situatë ekonomike më të mirë, po mos ta kishim këtë varfëri të skajshme, atëherë nuk do të kishte nevojë që një fëmijë të dalë dhe të punojë,ndërkohë që kjo është e të ndaluar me ligj për fëmijët, të cilët, sipas tij, më pastaj po përfundojnë si delikuent nëpër burgje dhe qendra korrektuese. Shala tha se gjendja e fëmijëve në Kosovë nuk është e mirë, Kosova e ka një përqindje të madhe të të rinjve, dhe shteti mund të ndërtohet mbi ta dhe me ta.

“Ju si studentë duhet të shkoni edhe në qendrën korrektuese në Lipjan t’i shihni se në çfarë gjendje janë të miturit. Nuk mund ta keni të qartë situatën vetëm duke e lexuar ligjin, i cili është i shkruar për mrekulli, por thjesht shikoni ato dokumente në fillim dhe vetë e shihni se sa zbatohen në praktikë në vendin tonë”, tha Shala.

Adile Shaqiri, nga Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në Ministrinë e Punës (MPMS), foli në përpikëri për punën që bëhet në këtë ministri rreth të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Ajo tha Ministria në fokus ka fëmijët viktima, dhe mbrojtjen e fëmijëve të braktisur me fëmijët pa përkujdesje prindërore, me fëmijët që punojnë punë të rënda etj. Shaqiri po ashtu foli për sfidat, për shpenzimet buxhetore të kësaj ministrie në përmbushjen e detyrimeve për të drejtat e fëmijëve në nevojë sociale.

Ndërsa, profesoresha Merita Shala,  se nëse investohet një dollar në fëmijë në cilindo program cilësor, ky fëmijë kur të bëhet i rritur shoqëria fiton 17 dollarë. Po ashtu nëse në fëmijëri bëhet një shkollim cilësor, më nuk do të ketë sjellje delikuente. Vetëm 3% të fëmijëve në Kosovë marrin edukim të hershëm, kurse 97% nuk kanë edukim të hershëm, theksoi ajo.

Në debat morën pjesë edhe shumë studentë të Fakultetit Juridik dhe  stafi akademik, të cilët diskutuan dhe dhanë vlerësime të ndryshme, mbi temën e debatuar.

Share: