Ligjëratë speciale për studentët e Fakultetit Juridik, me Avokatin e Popullit z.Hilmi Jashari

11 Janar 2018

Studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, sot patën rastin të dëgjojnë një ligjëratë të veçantë, nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në temën “Roli dhe rëndësia e institucionit të avokatit të popullit në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut”.

Në këtë ligjëratë studentët patën mundësi të kuptojnë më saktësisht rolin dhe rëndësinë e Avokatit të Popullit kur bëhet fjalë për të drejtat themelore të njeriut dhe respektimin e tyre nga organet e shtetit.

Jashari tha se në vazhdimësi ka ankesa dhe  se numri i ankesave individuale drejtuar Avokatit të Popullit është në rritje: “Është një trend fatkeqësisht, ku qytetarët vinë tek ne dhe shprehin ankesat e tyre të cilat janë të shumta. Në anën tjetër ne si institucion mbi bazën e ligjit, kemi mandat i cili na detyron të trajtojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut”, tha Jashari.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë kësaj ligjërate tha se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut vazhdon të mbetet çështje sfiduese për autoritetet publike në Kosovë dhe se çdo institucion duhet të respektojë të drejtat themelore të njeriut:“Respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut vazhdon të mbetet çështje sfiduese për autoritetet publike në vend. Funksionimi i sistemit të drejtësisë, ashtu si edhe ofrimi i shërbimeve administrative efektive mbeten fusha ku kërkohet vëmendje e veçantë”, tha ai.  

Nëse flasim për natyrën e ankesave, mbrojtësi i të drejtave të kosovarëve, tha se janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe sociale, dhe se një pjesë e ankesave janë të natyrës së të drejtave civile.

Në këtë ligjëratë ishte i pranishëm edhe rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, i cili me këtë rast falënderoi Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari për ligjëratën përmbajtësore dhe punën e palodhshme të këtij institucioni. Rektori Tafa tha se Kosova ka një avokat të popullit, shumë të mirë!

 

 

 

 

Share: