Poeti Lulzim Tafa në gjuhën malazeze

18 Prill 2016

Shtëpia botuese “Dignitas” nga Cetinja, më e njohura në Malin e Zi, ka përkthyer 100 poezi të poetit Lulzim Tafa, duke i përmbledhur në një libër në një botim ekskluziv, që e ka titulluar “Këngët e Përgjërimit” (Zavjetne Pjesme).

Kritika malazeze dhe redaktori i librit, shkrimtari i shquar malazez Mirash Martinoviq, e ka vlerësuar Lulzim Tafën si njërin prej shkrimtarëve të shquar të Ballkanit.  Ai e ka lavdëruar dhe falënderuar Shtëpinë Botuese “Dignitas” dhe drejtorin e kësaj shtëpie Vukan Lampar, që e ka përzgjedhur për ta përkthyer poezinë e këtij poeti nga Kosova.

“Kur e kam lexuar poetin Tafa për herë të parë, fillimisht në Gjuhen Boshnjake dhe rekomanduar për përkthim nga poeti madh boshnjak Abdullah Sidran, kam vërejtur se Tafa është një poet interesant, me stil të jashtëzakonshëm dhe me gjetje që të lënë me gojë të hapur”.

Ai ka thënë se letërsia shqipe mbetet letërsi e fuqishme duke i përmendur edhe poetë të tjerë të Kosovës si Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin etj.

Share: