Studentët e AAB-së pjesë e tryezës kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Në kuadër të muajit sensibilizues kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Kosovës së bashku me ekipet vepruese për siguri, ICITAP dhe OSBE organizuan tryezë ndergjegjësuese nën moton “Unë nuk jam për t’ u shitur”, në të cilën me referimet e tyre u paraqitën edhe studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB.

Kjo tryezë diskutimi pati për qëllim ngritjen e vetëdijësimit tek qytetarët e në veçanti tek të rinjtë, me këtë rast, institucionet e Kosovës thënë se kanë ndërmarrë aksione të shumta për të parandaluar trafikimin me qenie njerëzore.

Shefi i sektorit qendror të hetimit të trafikimit me qenie njerëzore, Riza Murati, para studentëve tha se trafikimi i personave është krim dhe forma më e rëndë e shkeljes së të drejtave të lirive të njeriut, mirëpo, kjo dukuri mund të parandalohet nëse secili prej nesh tregojmë më shumë kujdes dhe raportojmë tek organet kompetente në raste dyshimi.

“Trafikimi me qenie njerëzore mund të fillojë me mashtrim për një jetë më të mirë, e që përfundon me mungesë të lirisë dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Ne po punojmë që t’ i mënjanojmë të gjitha rastet e trafikimit, mirëpo ne kemi nevojë edhe për raportimin e juaj nëse shihni ndonjë rast të tillë, apo edhe dëgjoni dikund”, tha Murati.

Ndërsa, për studentin e Fakultetit Juridik Ajnur Oraça, pjesëmarrja në këtë diskutim ishte mjaft e qëlluar, sipas tij, inkuadrimi i studentëve në aktivitete të tilla iu ndihmon atyre që si juristë të rinj të jenë më të informuar rreth këtyre dukurive, që në të ardhmen të jenë të përgatitur të bartin përgjegjësitë kryesore të funksionimit të rregullt të instiucioneve.

Fushata sensibilizuese kundër trafikimit të qenjeve njerëzore në Kosovë ka filluar me 18 tetor dhe do  të vazhdojë edhe në ditët në vijim, të gjitha aktivitetet bëhen për të ngritur vetëdijen e qytetarëve  në parandalimin e rasteve kur dyshohet se dikush po shfrytëzohet për trafikim

INSTITUTI AAB
APLIKO