Studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze organizuan aktivitet humanitar

28 Dhjetor 2015

Me rastin e festave të fundvitit, dekanati i Fakultetit të Gjuhës Angleze me iniciativë dhe në bashkëpunim me studentët e këtij fakulteti organizuan një aktivitet humanitar “GIVE Campaign”, me të cilin një numër i madh i studentëve të të tria viteve si dhe një numër i mësimdhënësve të këtij fakulteti, në kampusin e Prishtinës dhe të Gjakovës mblodhën një fond të volitshëm financiar dhe donacione të tjera; si veshmbathje, lodra, mjete shkollore dhe pako ushqimore për t’ju ndihmuar familjeve dhe veçanërisht fëmijëve, të cilët kanë nevojë për ndihmë sado modeste qoftë ajo.

Studentët në kampusin e Gjakovës e realizuan aktivitetin në bashkëpunim me OJQ “Dignity” dhe ndihmuan komunitetin RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptian) në Skivjan, ndërsa studentët e kampusit të Prishtinës ndihmuan dy familje në periferi të Prishtinës, të cilat jetonin në kushte shumë të vështira ekonomike dhe që kishin fëmijë të moshave të ndryshme.

I gjithë aktiviteti u mbikëqyr nga dekanati i Fakultetit të Gjuhës Angleze dhe nga studentët tutorë në Prishtinë dhe Gjakovë. Pa dyshim që i gjithë ky aktivitet nuk do të mund të realizohej pa përkrahjen e grupit vullnetar të studentëve, të cilët me një përkushtim të sinqertë e realizuan gjithë këtë nismë.

Share: