Studentët e Kolegjit AAB shënuan 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

1 Qershor 2016

Fakulteti i Psikologjisë dhe i Shkencave Sociale të Kolegjit AAB, organizuan një sërë aktivitetesh më rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorin. Javën që shkoi, stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Psikologjisë kanë organizuar aktivitetin një javor “Me gëzo me një lodër”, ndërsa ata të drejtimit Përkujdesja dhe Mirëqenia e Fëmijëve të Fakultetit të Shkencave Sociale kanë hapur ekspozitën “Për ne pak, për ata do të thotë shumë”, ku janë prezantuar lodrat e ricikluara për fëmijë. Këto lodra janë punuar nga studentët e drejtimit në fjalë. Lodrat, punimet dhe dhuratat e mbledhura nga të dyja aktivitet, janë mbledhur me qëllim që ato t’ u dërgohen dhe t’i gëzojnë fëmijët në nevojë.

Një pjesë e këtyre lodrave të mbledhura, nga dy aktivitete në fjalë, sot janë shpërndarë te fëmijët dhe nxënësit e shkollës fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë. Po ashtu, dy fakultetet e Kolegjit AAB në bashkëpunim me shkollën “Selman Riza” kanë organizuar edhe aktivitete tjera për fëmijët e moshës shkollore dhe parashkollore. Fëmijët e moshës parashkollore janë angazhuar në aktivitete të ndryshme me vizatim, ndërsa të moshës shkollore në lojëra të përbashkëta edukative dhe argëtuese.

 Në kuadër të aktivitetit “Me gëzo me një lodër”, studentët e Fakultetit të Psikologjisë, dje kanë dorëzuar lodrat e mbledhura në organizatën “Balkan Sunflowers”. Kjo organizatë punon me fëmijët e komuniteteve të ndryshme të nivelit parashkollor dhe shkollor. Këtë aktivitete e ka mbështetur edhe Fakulteti i Shkencave Sociale.

Në kuadër të aktivitetit “Me gëzo me një lodër”, kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe studentët dhe stafi i AAB-së i fakulteteve tjera, me dhurata të ndryshme në formë të lodrave.

Studentët e Psikologjisë, me mjete financiare dhe veshmbathje, e kanë ndihmuar familjen Kryeziu nga fshati Mleqan i Malishevës. Kjo iniciativë ishte një përgjigje e studentëve ndaj thirrjeve të ndryshme për të ndihmuar familjen Kryeziu, e cila jeton në kushte shumë të vështira ekonomike.

Share: