U mbajt konferenca shkencore “Foreign Languages in a Global World”, organizuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës dhe Kolegji AAB

12 Qershor 2017

Departamenti i Gjuhëve të Huaja, i Fakultetit të Edukimit, të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhës Angleze të Kolegji AAB, organizuan konferencën e tretë shkencore ndërkombëtare “Foreign Languages in a Global World” , ku morën pjesë lektorë, kërkues dhe studiues nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.

Konferencën e hapi rektorja e këtij universiteti, prof. dr. Kseanela Sotirofski,  e cila tha se ky aktivitet shkencor shënon ngjarjen e tretë të përbashkët brenda këtij viti në fushën e kërkimeve shkencore: “Qëllimi i organizimit të kësaj konference ishte mbledhja e kërkueseve të cilët prezantuan arritjet e tyre akademike dhe diskutuan shumësinë e problemeve që ngrihen përsa i përket gjuhësisë, letërsisë dhe mësimdhënies së gjuhëve të huaja”.

Në cilësinë e folësit kryesor të konferencës në fjalë, prof. Xhavit Rexhaj, nga Kolegji AAB, i cili prezantoi rezultatet e hulumtimit të tij në fushën e përdorimit të teksteve shkollore në shkollat e Kosovës, me titull “Ndikimi dhe pasojat e përdorimit jokritik të teksteve shkollore në zhvillimin e kompetencave të nxënësve”. Ky hulumtim përqëndrohej në përdorimin ekskluziv të teksteve të gjuhës angleze dhe të gjuhës amtare në shkollat e Kosovës.

Jashtë punimeve zyrtare të konferencës rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Kseanela Sotirofski dhe përfaqësuesi i AAB u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin në mes të dy universiteteve duke u përqendruar më shumë në fushën e programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të mësimdhënësve e studentëve, në organizimin e projekteve hulumtuese për master e të tjera.

Po ashtu palët u dakorduan për organizimin e një vizite në Prishtinë për identifikimin e fushave të bashkëpunimin dhe zgjerimin e tij me një marrëveshje të re.

Share: