U promovua libri monografik “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” i autorit Arianit S.Maraj

Në kuadër të programit të promovimeve të titujve të rinj, në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019, sot u promovua libri monografik “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet”, i autorit Arianit S.Maraj.
Autori Maraj, doktor i shkencave kompjuterike, përfitues i Bursës Fulbright për studime postdiplomike, njëherësh profesor ne Kolegjin AAB, me këtë libër i kontribuon literaturës shqipe mbi sigurinë kibernetike e cila është tejet e mangët.

Libri “Siguria dhe privatësia e të dhënve në internet”, botim i Shtëpisë Botuese AAB, i sapo dalë nga shtypi, përbëhet nga gjithsej 7 kapituj, në të cilët autori trajton gjerësisht: sfidat e sigurisë kibernetike, kërcënimet që cenojnë sigurinë dhe privatësinë, sulmet në bazat e të dhënave, si dhe bën dallimin esencial në mes të sigurisë dhe privatësisë.
Në fjalën e tij në kuadër të promovimit të librit, autori Maraj tha se motivin për ta nxjerrë këtë libër e ka gjetur te mungesa dhe nevoja për literaturë të tillë në gjuhën shqipe, nevoja për mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike në Kosovë pasi që rritja e përdorimit të teknologjisë, si në të gjithë botën, ashtu edhe tek ne, ka bërë që të jemi të prirë ndaj sulmeve të tilla. Ai gjithashtu përmendi se arsye e botimit të këtij libri është edhe fakti që në Kosovë është rritur numri i klientëve fundorë të cilët me anë të teknologjisë dhe përdorimit të aplikacioneve online bien pre e keqpërdorimeve të ndryshme.
Në promovimin e librit, foli edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB, prof.dr. Jusuf Qarkaxhija, i cili përmblodhi në pika të shkurtëra përmbajtjen dhe trajtimin e librit nëpër kapituj.
Libri “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” konsiderohet si kontribut i madh në fushën profesionale të shkencave kompjuterike ndërsa për studentët do të mund të përdoret edhe si material shtesë në studime.
Autori Arianit Maraj, falënderoi botuesin, Kolegjin AAB, për mbështetjen e botimit të librit, por edhe për përkrahjen e vazhdueshme që u jep stafit akademik në fushën e kërkimit shkencor.
Të gjithë të interesuarit, librin “Siguria dhe privatësia e të dhënave në internet” do të mund ta gjejnë në stendën e Shtëpisë Botuese AAB, në kuadër të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.

INSTITUTI AAB
APLIKO