U mbajt diskutimi “Risitë në mësimdhënie” në kuadër të #GEW20

19 Nëntor 2020

Pandemia COVID-19 ka krijuar nevojën për ndryshime rrënjësore në shumë fusha të jetës tonë, me theks të veçantë në transformimin digjital të veprimtarive. Ky revolucion teknologjik që po përjetojmë tani ka ndikuar edhe arsimin i cili tani po kryhet nga distanca pothuajse në çdo institucion të arsimit që nga ai parashkollor e deri te institucionet e arsimit të lartë.

Në këtë frymë, Oda Amerikane e Tregtisë (American Chamber of Kosovo) në Kosovë organizoi një forum të quajtur “Innovation in Teaching” (Risitë në mësimdhënie).

Në këtë forum ishin të ftuar Pro-rektorja për Bashkëpunim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare e Kolegjit AAB, Prof.Ass. Dr. Venera Llunji dhe drejtori i Shkollës Amerikane ne Kosovë, Brian Kissmann.

Gjatë këtij takimi pro-rektorja Llunji, diskutoi për disa nga problemet kryesore me të cilat institucionet e arsimit të lartë po ballafaqohen në këtë proces të evoluimit dhe risive e të cilat na janë imponuar si pasojë e një ambienti të globalizuar dhe me ndryshime të shpejta. U bisedua se cilët janë faktorët kryesorë dhe cilat janë departamentet kryesore të cilat do të duhej të përmirësoheshin nëpër institucionet e arsimit në Kosovë dhe në veçanti në arsimin e lartë.

Në këtë diskutim u trajtua edhe çështja e qasjes dhe raporteve mësimdhënës/student dhe cilat janë metodat më efikase në arritjen e qëllimit në këtë proces, si për mësimdhënësin ashtu edhe për studentin.

“Sistemi arsimor është një ndër shtyllat kryesore mbi të cilën mbështetet zhvillimi i një kombi, prandaj fokus i veçantë i duhet kushtuar përditësimit të sistemeve arsimore, metodologjisë së mësimdhënies dhe relevancës së lëndëve mësimore”, u konkludua në këtë diskutim virtual.

Share: