25 vjet në shërbim të dijes dhe brezave të rinj
Prishtinë, shtator 2025 – Kolegji AAB ka shënuar 25 vjetorin në shërbim të dijes, arsimit të brezave të rinj dhe plotësimit të ëndrrave të secilit individ.
Gjatë këtij çerek shekulli AAB ndërtoi secilën faqe me përkushtim, punë të palodhur dhe besim nga studentët.
Me këtë rast në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, u mbajt ceremoni solemne ku morën pjesë figura publike, politike dhe personalitete me rëndësi të veçantë.
Mesazhi i prorektores Venera Llunji për vizionin e AAB-së
Ceremonia u moderua nga prorektorja Venera Llunji, e cila falënderoi personalitetet akademike, kulturore, kolegët, studentët, partnerët dhe miqtë e AAB-së.
“Kolegji AAB nuk është vetëm një universitet – është një ide që u kthye në realitet, një ëndërr që u bë udhërrëfyes i brezave. Në këto 25 vite, Kolegji AAB ka dëshmuar se me përkushtim, guxim e vizion mund të ndërtohet një dritare e madhe e dijes dhe kulturës shqiptare”, tha ndër të tjera prorektorja Llunji.
Nderimi për kontributin e profesorit Enver Petrovci
Gjatë ceremonisë u nderua me një minutë heshtje ish rektori dhe profesori Enver Petrovci, për kontributin e tij, trashëgiminë që la pas në teatër, art dhe në mendjet e studentëve.
Reflektimet e Prof. Zija Rexhepit mbi rrugëtimin 25-vjeçar
Për ta risjellë udhëtimin 25 vjeçar të AAB-së, drejtori i ATV-së njëherazi profesor Zija Rexhepi, ndau përshtypjet e tij për zhvillimin që pati AAB ndër vite, bashkë me kuadrot e shumta profesionale që ka nxjerrë, infrastrukturën moderne dhe ndryshimet e mëdha që e bënë institucionin tonë të jetë ndër më të kërkuarit për studime.
“Historia e AAB-së është një rrëfim frymëzues i guximit, përkushtimit dhe pasionit për arsimin e lartë, një histori që tregon se si vizioni, puna e palodhur dhe besimi në të rinjtë mund të ndërtojnë një të ardhme të ndritur”, shtoi Rexhepi.
Fjala solemne e rektorit Dr. Sc. Blerim Olluri
Rektori i Kolegjit AAB Dr. Sc. Blerim Olluri, në fjalën e tij solemne e nisi me thënien e filozofit helen Platonit se “Edukimi është fuqi që shëron shpirtin, arsimi është një diell i dytë për njerëzit”, duke shtuar se AAB për këto 25 vite është bërë qendër e inovacionit, shkencës, ndërmarrësisë, kulturës, artit e medias.
“AAB sot është një vatër e dijes dhe krijimtarisë: ku arti bashkëjeton me shkencën, ku sporti ndërthurret me kulturën, ku tradita lidhet me teknologjinë më të re; ku mësimi zhvillohet me metoda bashkëkohore, me platforma hibride, duke i përgatitur studentët për një treg global e sfidues; ku organizohen konferenca shkencore, seminare ndërkombëtare, Javë Ndërkombëtare, aktivitete kulturore e sportive që i japin dritë jo vetëm AAB-së, por gjithë shoqërisë sonë”, tha rektori ndër të tjera.
Rrëfimi i studentit të parë, Dardan Krekaj
Në këtë ceremoni moment i veçantë ishte edhe kthimi pas në ditët e para të AAB-së me studentin e parë, Dardan Krekaj, që u ndoq nga mijëra studentë të regjistruar pak vite më pas.
Krekaj, në fjalën e tij tregoi hapat e parë dhe vendimin që mori për t’u regjistruar në AAB, ndërsa tha se “Në atë moment nuk e dija se po bëhesha studenti i parë i regjistruar në AAB, por e dija se po fillonte një kapitull i ri për mua. Sot, pas një çerek shekulli, ndihem me të vërtetë krenar që kam qenë pjesë e fillimit të këtij institucioni madhështor për mua po edhe për të gjithë ju dhe atyre që kanë kaluar kah ky vend. Sot, nuk jam vetëm studenti i parë, por ka kohë të gjatë që unë edhe punoj këtu dhe AAB-në e konsideroj shtëpi timen. Sot, teksa e shoh AAB-në të rritur, më duket sikur shoh edhe rritjen time bashkë me të”, tha Krekaj.
Ish-rektorët dhe trashëgimia e tyre në historinë e AAB-së
Ish rektorët e Kolegjit AAB, profesorët Ilir Tafa, Masar Stavileci, Enver Petrovci, Uros Lipuscek, Lulzim Tafa dhe Bujar Demjaha, u vlerësuan me mirënjohje të thellë, pasi ishin ata që ndërtuan themelet e institucionit, frymëzuan breza të studentëve dhe lanë trashëgimi të pavdekshme në historinë e AAB-së.
Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
Një moment kulmor në ceremoni ishte ndarja e Çmimit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, një çmim prestigjioz i Kolegjit AAB që nderon personalitete me ndikim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e vlerave universale.
Këtë vit, çmimi u nda për Dr.Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, një personalitet që ka kushtuar jetën dhe punën e saj në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe të drejtave themelore.
Çmimi për znj.Rushiti u nda nga rektori i Kolegjit AAB Dr.Sc. Blerim Olluri, ndërsa ajo falënderoi të gjithë për vlerësimin dhe bashkëpunimin që kanë realizuar ndër vite me qendrën që e udhëheq.
Performancat artistike dhe ekspozita për 25 vjetorin
Gjatë ceremonisë pati edhe pika artistike, vallëzim bashkëkohor nga Enis Mulaku dhe Lirinda Krasniqi nga “Noa Dance Theatre Company” nën koreografinë e Robert Nuhës, “Malagenia” e luajtur me piano nga Puhiza Sadiki, instrumental i këngës “25 gërsheta” nga Astrit Stafaj dhe Artan Rexhepi dhe pika muzikore nga Kori “Siparantum” me dirigjent Memli Kelmendi.
Gjithashtu në hapësirat e Kolegjit AAB u mbajt ekspozita nga profesorët e Fakultetit të Arteve, e organizuar posaçërisht për 25 vjetor, ndërsa pati edhe fjalë rasti nga profesori dhe kritiku artistik Hajrush Fazliu.