E Drejta Biznesore e Bashkimit Evropian

“E Drejta Biznesore e Bashkimit Evropian ” është projekt i zbatuar nga Kolegji AAB dhe i mbështetur nga Programi Erasmus + Jean Monnet.

Bashkimi Evropian ka pasur një ndikim imperativ në prezantimin e praktikave të mira të të bërit biznes nëpërmjet rregulloreve të tij përkatëse, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Kosova nuk është ende anëtare e BE-së, sektori i saj i biznesit dhe tregtisë është shumë i lidhur me tregun evropian.

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë një modul mësimor ku ligjet, rregulloret dhe standardet evropiane të biznesit janë të kontekstualizuara nga këndvështrimi i arritjeve akademike nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, mund të shërbejnë si njohuri transformuese për të mundësuar një të ardhme të rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve vendore në Kosovë dhe konsumatorëve evropianë. Moduli është relevant dhe do të përfshihet në Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Juridik dhe programet e tyre përkatëse të studimit, ndërsa të paktën 60 studentë do të ndjekin modulin çdo vit. Moduli do të ofrohet për dy semestra në dy grupe paralele, ku secili merr gjithsej 60 orë në vit.

Leksionet do të mbulojnë tema që lidhen me politikat themelore për të kuptuar aktivitetin e biznesit në nivel evropian, konkurrencën në Evropë dhe përfitimet nga përdorimi i rregulloreve të tregut të Bashkimit Evropian nga vendet jo-evropiane. Hulumtimi, nga ana tjetër, do të përfshijë punën e studentëve dhe profesorëve për të zhvilluar: a) kërkime për të analizuar se si politikat e BE-së ndikojnë në krijimin e biznesit në kontekstin lokal dhe b) kërkimin në terren se si ligjet e biznesit të BE-së dhe rregulloret mund të ndikojnë në performancën e biznesit.

Për më tepër, moduli parasheh publikimin e një manuali specifik, i cili ofron të dhëna të drejtpërdrejta për industrinë në Kosovë, në lidhje me ligjet dhe rregulloret evropiane të biznesit dhe ofron udhëzues praktik se si bizneset mund të ndërveprojnë në nivel evropian. Manuali synon të shfrytëzojë rezultatet e këtij moduli, dhe ofron njohuri të dobishme për industrinë vendase se si të pajtohet me ligjet dhe rregulloret evropiane të biznesit, si të përmirësohen lidhjet e biznesit ndërmjet firmave kosovare dhe blerësve ndërkombëtarë, dhe si të forcohet konkurrenca e industrisë dhe promovimit të një sistemi tregu elastik dhe të vetë-qëndrueshëm.