Impakti i BE-së në Kosovë

“Ndikimi i BE-së në Kosovë” është projekt i zbatuar nga Kolegji AAB dhe i mbështetur nga Programi Erasmus + Jean Monnet.
Qëllimi i këtij projekti është krijimi i modulit të parë në arsimin e lartë në Kosovë lidhur me ndikimin e BE-së në ndërtimin e paqes, pajtimit dhe demokratizimit. Moduli përbëhet nga tre komponentë kryesorë si në vijim:
1) Ligjërata,
2) Hulumtim dhe
3) Aktivitete shpërndarëse.

Moduli është përfshirë në listën e lëndëve zgjedhore në mënyrë që studentët nga disiplina të ndryshme akademike, si Juridiku, Administrata Publike, Ekonomia, Shkenca Sociale dhe Psikologjia të mund ta përzgjedhin atë.

Të paktën 50 studentë do të ndjekin modulin çdo vit dhe i njëjti do të mësohet për dy semestra (56 orë), për tre vjet.
1) Ligjëratat do të mbulojnë tema që kanë të bëjnë me ndikimin e BE-së në rehabilitimin e Kosovës pas konfliktit, në disa fusha si në vijim: Ndërtimi i paqes, pajtimi, dialogu social, demokratizimi, diversiteti dhe gjithëpërfshirja, ngritja e kapaciteteve politike, rindërtimi ekonomik dhe shoqëria civile. Do të ketë gjithashtu edhe ligjërata të hapura plotësuese, ku do të ftohen ekspertë të fushës për të ndarë ekspertizën e tyre;
2) Hulumtimi do të përfshijë punën e studentëve për të zhvilluar hulumtim të literaturës dhe në terren, për të analizuar ndikimin e BE-së në Kosovë, në aspektin e politikave (analizës së dokumenteve), praktikës (zbatimit të politikave) dhe përvojës (si ndihen njerëzit dhe komuniteti në raport me këto politika).
3) Studentët do të angazhohen gjithashtu në aktivitete të shpërndarjes. Ata do të organizojnë të paktën 30 seanca sensibilizuese me maturantët me qëllim të vetëdijesimit dhe rritjes së interesit të tyre për studimet e BE-së.